Konfliktohet me fëmijët për pronësinë e një makine, arrestohet ish-gjyqtari Alaudin Malaj
Policia e Tiranës arreston ish-gjyqtarin e Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj. Shoqërimi i tij u bë një ditë më parë nga policia sëbashku me të vëllanë.
Shkak është bërë një konflikt me fëmijët e tij të mitur për pronësinë e një makine, të cilët ishin të pajisur me urdhër mbrojtje ndaj tij.
"Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.M., 49 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin A.M., 42 vjeç, pasi tek Liqeni Artificial, shtetasi A.M., në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, është konfliktuar për pronësinë e një automjeti me fëmijët e tij të mitur të cilët ishin të pajisur me urdhër mbrotje. Gjithashtu ky shtetas sëbashku me vëllain e tij A.M., kanë kundërshtuar për shkak të detyrës punonjësit e policisë së rendit publik" njoftoi policia.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Alaudin Malaj dha dorëheqjen nga Gjykata e Apelit në korrik të këtij viti, teksa ende nuk kishte dalë në vetting.
Por në muajin nëntor ai i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, rikthimin e çështjes së tij në shkallën e parë të Vetingut.
Në letrën e dorëheqjes Malaj shpjegon se ka punuar pranë sistemit të drejtësisë qysh prej vitit 1993, duke shërbyer në disa gjykata të vendit, ku kulmi i karrierës së tij, ka qenë drejtimi i Gjykatës së Apelit Tiranë.
