"Ajo është e rrezikshme, mund të vrasë përsëri", zbardhet vendimi i gjyqtarit që la në burg Elona Kaleshën

Zbardhet vendimi i gjykatës së Fierencës për Elona Kaleshën, e dyshuar për vrasjen makabre të prindërve të ish-të dashurit, Shpëtim dhe Teuta Pasho.

Gjyqtari Angelo Antonio Pezzuti e ka argumentuar caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" ndaj saj me faktin e rrezikshmërisë që ajo paraqet dhe mundësinë e largimit.

"Ajo mund të kryejë krime të tjera, ka ende bashkëpunëtorë të një thellësie të konsiderueshme kriminale dhe në 2015 vrau bashkëshortët Pasho.  Të paktën dy persona, por edhe të tjerë, dyshohet se e kanë ndihmuar për  të copëtuar dhe asgjësuar kufomat në valixhet e gjetura pesë vjet më vonë në një fushë në Firence" thuhet në vendim.

"Elona Kalesha është e rrezikshme, prandaj duhet të qëndrojë në burg", nënvizon më tej gjyqtari duke konfirmuar  nevojën për paraburgim në burg për gruan 36-vjeçare shqiptare, ish e dashura e Taulant Pashos, e dyshuar për vrasjen e dyfishtë të prindërve të  tij që u zhdukën në fillim të nëntorit 2015.

Për gjyqtarin jo vetëm ka indikacione serioze faji të 36-vjeçares dhe mundësi të ikjes jashtë të saj, por edhe një rrezik i përsëritjes së krimeve, një rrezik që sipas tij "duhet të konsiderohet konkret dhe aktual".

“Elona Kalesha është e rrezikshme, ekziston mundësia që të kryejë të njëjta krime të ngjashme, si ai për të cilin ne po e procedojmë. Ka marrëdhënie të ngushta me njerëz me një kalibër të rëndësishëm kriminal dhe me sa duket e ka përdorur punën e bashkëpunëtorëve. Për këtë arsye, mund të konsiderohet se, për sa i përket sigurisë ose probabilitetit të lartë, Elona Kalesha, nëse nuk është e kufizuar në lirinë e saj, do të kryejë prapë  krime nëse ekziston mundësi”, argumentoi gjyqtari Pezzuti në vendimin e tij, duke shtuar se 36-vjeçarja duket se është futur përgjithmonë në një qark kriminal.

Për më tepër, gjyqtari rikrijoi edhe njëherë skenën e krimit të dyfishtë. Elona dyshohet se futi bashkëshortët Pasho në një kurth, të cilët erdhën në Itali për të parë djalin e tyre, i cili ishte i burgosur në Sollicciano për trafikim të lëndëve narkotike dhe do të lirohej nga burgu më 2 nëntor 2015. Prindërit e tij u zhdukën një ditë më parë, dhe provat tregojnë se personi i fundit që i pa ata ishte Elona.

Çifti Pasho është vrarë në shtëpinë ku ata qëndronin me qira, muajin e fundit. Aty ku edhe ata janë masakruar, janë vendosur në katër valixhet e gjetura në afërsi të burgut Solliciano.

Sipas të dhënave Shpëtim Pasho është vrarë me thikë, në kohën kur ai po flinte gjumë, prandaj në trupin e tij nuk ka shenja dhune. Ndërkohë Teuta Pasho, është rrahur për vdekje, dëshmi për këtë gjë janë hematomat dhe kockat e thyera të gruas. Dëshmi për këtë është fakti se në momentin e vrasje çifti ka qenë i veshur me pizhama gjumi.

36-vjeçarja Elona Kalesha kishte shtatë dënime të mëparshme për rezistencë ndaj një zyrtari publik, dëmtim personal, mashtrim dhe vjedhje.