Arritja e kuorumit për vendimmarrje: Gjykata Kushtetuese: Proces i gjatë e kompleks, sot është një ditë e shënuar

Sot është një ditë e shënuar u shpreh sot Gjykata Kushtetuese, në një reagim pas emërimit të dy anëtarëve të rinj të saj, Altin Binaj dhe Përparim Kalo, të cilët bëjnë që të arrihet kuorumi i nevojshëm për të nisur procesin e vlerësimit të dosjeve në kompetencë.

“Sot është një ditë e shënuar për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Me emërimin e dy anëtarëve të rinj të saj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor për rinisjen e funksionalitetit dhe veprimtarisë vendimmarrëse që pas ndërprerjes në mars të vitit 2018”,- njoftoi Gjykata Kushtetuese.

“Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kërkesë jetike për vendin, për shkak të rolit dhe kompetencave që ajo ka si garante e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të individit. Ky proces ka qenë i gjatë e kompleks dhe ka kërkuar bashkëpunimin e shumë institucioneve shtetërore dhe më gjerë”- thuhet në deklaratë.

“Gjithashtu një mirënjohje e veçantë shkon edhe për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga partnerët ndërkombëtarë për përmbylljen me sukses të këtij procesi. Gjykata Kushtetuese është e angazhuar të ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave që janë përpara saj, në respektim të vlerave dhe standardeve me të rëndësishme kushtetuese”,-përfundon reagimi.