Margariti: Kemi pasur takime me artistët për një pagë lufte, jemi munduar me promovimin dixhital
E ftuar në RTV Ora, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se ka pasur takime me artistët, pasi ata të pavarurit nuk mund të klasifikoheshin në një pagë lufte.
Margariti tha se nga takimet është dalë në përfundim se duhet rënë dakord për formulën se si artistët performojnë në bazë të kontratave të lidhura.
Elva Margariti: Kemi pasur takime me artistët. Ata nuk mund të klasifikoheshin në një pagë lufte, për ata që performojë në skenë si të pavarur, sepse ata që punojnë në shtet sigurisht që kanë pasur mbështetje. Jemi munduar që t'i adresojmë drejt projekteve me thirrje dhe që projektet e tyre t'i përshtateshin pandemisë. Nga takimet kemi dalë në përfundim se duhet rënë dakord për formulën se si artistët performojnë në bazë të kontratave të lidhura. Kur nuk ka kontrata kemi kërkuar një bashkim forcash për formalizimin e tyre. Kjo është rruga në të cilën duhet të ecim bashkërisht. Kemi parë me sindikatën edhe ligjin për pensionin.
Unë kam parë shumë qasje pozitive të artistëve në pandemi. Nuk kemi mundur që t'i mbështesim të gjithë, sepse një gjë e tillë nuk ka ndodhur as vitet e tjera. Jemi munduar që të bëjmë një lidhje me promovimin dixhital të artistëve. Po ashtu janë shtuar projektet që lidhen me promovimin e arkeologjisë përmes tureve virtuale. Ne kemi pasur disa donatorë. Kontributi më madhor vjen për shtetin shqiptar me një shifër 30 milionë euro për rijetëzimin e monumenteve të kulturës. Po ashtu kemi pasur fondin e ambasadorit nga SHBA. Këto para do të përdoren për kullën e Krujës, Prezës dhe për disa meremetime në kullën në Durrës.
Margariti shtoi se tashmë po përfundojnë të gjitha projektet për restaurimin e monumenteve të dëmtuara.
Elva Margariti: Hapi kryesor është kryer me buxhetin e shtetit. Tashmë po përfundojmë të gjitha projektet për restaurimin e monumenteve të dëmtuara. Kemi filluar punë në disa vende, sidomos për ndërhyrje emergjente të cilat janë kryer për të stabilizuar objektet. Vizioni madhor nuk është vetëm restaurimi, por edhe dhënia e një vizioni të ri duke e veshur me projekte të reja, duke e vënë në shërbim të komunitetit. Ne në vendin tonë kemi 2 muze që kanë audio-guida që kanë disa gjuhë. Produkti më i fundit është audio-guida e muzeut mesjetar në Korçë.