Zgjedhjet e parakohshme, Sulstarova: Kosova ka nevojë për frymë të re politike

Kryetari i Bordit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enis Sulstarova në një intervistë për Ora News ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta kaluar Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Sulstarova ka thënë se ky vendim është një kthim në normalitet të vendit, pasi Kosova sipas tij ka nevojë për një frymë të re politike.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një kthim në normalitet, sepse e kemi thënë disa herë që qeveria Hoti ka qenë e paligjshme dhe jo legjitime. E paligjshme sepse u zgjodh me procedura të parregullta, sikurse gjykata e vërtetoi. Jo legjitime, sepse nuk shpreh vullnetin e popullit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që u zhvilluan në Kosovë para një viti.

Është një shans që Kosova të hapë një sipar të ri të jetës politike dhe shoqërore, ekonomike. Forca progresive do të vijnë në pushtet dhe shpresoj që populli ti japë votën Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar një frymë të re, pasi e gjitha kasa politike e vjetër duhet ndërshkuar me votë popullore”, ka thënë Sulstarova.

Kryetari i Bordit të Lëvizjes Vetëvendosje komentoi edhe përfshirjen e një Hoxhe në VV, duke thënë se ky nuk është një problem.

“Çdo subjekt politik që do të qeverisë vendin, në njëfarë mënyre  duhet të përfaqësojë brenda vetes edhe rryma sociale, politike që janë në vend. Nuk ka asnjë problem që një subjekt politik të ketë brenda vetes së saj edhe klerikë të cilësdo fe, për sa kohë që program është ai që është, për sa kohë që VV është laik.”