Ambasada amerikane në Bagdad sulmohet me raketa
Një sulm me raketa u krye ndaj Ambasadës së SHBA-së në Zonën e Gjelbër në Bagdad, kryeqytetin e Irakut.
Sipas informacioneve të publikuara nga zyrtarët irakianë tre raketa janë lëshuar në drejtim të Ambasadës ku fatmirësisht si pasojë e këtij sulmi nuk ka patur njerëz të lënduar por vetëm dëme materiale.
Ambasada amerikane u kundërpërgjigj duke aktivizuar sistemin mbrojtës antiraketë C-RAM, i cili u ngrit këtë verë në mënyrë që të zmbrapsë përpjekjet gjithnjë e më të shpeshta për të goditur misionin diplomatik amerikan në kryeqytetin e Irakut.
Sulmi shkaktoi frikë për shkak të traziravenë prag të përvjetorit të vrasjes së gjeneralit Qasim Suleimani, komandanti i Gardës Revolucionare Iraniane, i cili u vra më 3 janar të këtij viti, jo shumë larg aeroportit të Bagdadit.
Nga frika e hakmarrjes përpara përvjetorit të parë të vrasjes së Suleimanit, Shtetet e Bashkuara urdhëruan një reduktim të numrit të punonjësve në ambasadën në Bagdad.
Frekuenca e sulmeve me raketa kundër Shteteve të Bashkuara pas vrasjes së Suleimanit shkaktoi shqetësim të administratës Donald Trump dhe akuza ndaj grupeve të armatosura shiite pro-iraniane.