Messi gati ta rrëzojë nga froni "Mbretin" Pele
Barcelona do të presë sot në 21:00 në “Camp Nou” kryesuesit e La Ligas, Real Sociedad, në ndeshjen e vlefshme për La Liga-n.
Por kur të gjithë presin një ringjallje të blaugranave pas një seri rezultatesh negative, të gjithë sytë do të jenë te Lionel Messi.
“Ylli” argjentinas, nëse arrin të shënojë vetëm një gol barazon rekordin e të madhit Pele sa i përket numrit të golave të shënuar në një klub.
Braziliani ka realizuar 643 gola me Santos ndërsa “Pleshti” deri tani ka shënuar 642 për Barcelonën në 744 ndeshje ku është aktivizuar.
I pari finalizim i Messit erdhi më 1 maj 2005 kundër Albacetes, kur ishte vetëm 17 vjeç.
Në këto 15 ndeshje të para të sezonit aktual, Messi ka shënuar 8 gola, katër prej tyre në LaLiga. Me vetëm një gol më shumë do të barazonte O’Rei-n, ndërsa me më shumë se një finalizim do të shndërrohej rekordmen absolut.
Pelé 643 golat e tij me Santosin i ka realizuar në 757 takime. Ish-sulmuesi brazilian, tashmë 80 vjeç, i cili konsiderohet nga FIFA lojtari më i mirë i shekullit të 20-të, ka luajtur për Santosin për 18 vjet.
Ky rekord duhet t’u shtohet shumë të tjerëve që tashmë mbahen nga Messi: 7 herë “Pishichi” (golashënuesi më i mirë i LaLigas), 6 herë fitues i “Topit të Artë”, më shumë gola në LaLiga (448) e shumë rekorde të tjera.