"Vrasje me dashje", ndryshohet akuza për policin që vrau Klodian Rashën
Prokuroria e Tiranes po e heton efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj për akuzën e vrasjes me dashje ndaj Klodian Rashës, duke rrëzuar kualifikimin e veprës penale që kishte bërë shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesat në ministrinë e Brendshme.
Ky institucion në deklaratën zyrtare pas ngjarjes dhe në referimin e dosjes në prokurori, e akuzoi efektivin e policisë për "vrasje në kushtet e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme".
Ndryshimi i veprës penale për të cilën po hetohet efektivi i repartit Shqiponja, vjen vetëm një ditë pas vizitës së kryeministrit Rama në familjen e të riut të ekzekutuar nga policia.
Sipas burimeve jo zyrtare të prokurorisë, prova kryesore në lidhje me akuzën e re të "vrasjes me dashje", lidhet me pamjet filmike të sekuestruara së fundi ku qartesohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë.
Sipas këtyre pamjeve, efektivi i repartit "Shqiponja" ka qëlluar ndaj Klodian Rashës kur ka qenë i shtrirë, ndërkohë që 25-vjeçari po largohej me vrap në drejtim të banesës.
Po kështu sipas prokurorisë, pistoleta e gjetur në pellgun e ujit, rreth 80 metër larg vendit të ngjarjes, për të cilën policia aludoi fillimisht se i përkiste viktimës Klodian Rasha, është ende e paidentifikuar nga ekspertiza që është kryer.
Grupi i hetimit ka administruar ekspertizën balistike të kësaj arme, por nuk është arritur të përcaktohet personi që e ka pasur atë.
Rreth 12 orë pas ngjarjes, më 8 dhjetor 2020, SHCBA në deklaratën zyrtare theksoi se nga hetimet paraprake është konkluduar se veprimet e punonjësit të Policisë Nevaldo Hajdaraj, bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit.
Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Ndërkohë nëse shpallet fajtor për akuzën e re të vrasjes me dashje, oficeri i repartit Shqiponja rrezikon një dënim deri në 20 vite heqje lirie.
Vrasja
Ndërkohë qeveria e cilësoi vrasjen si aksidentale, një cilësim që ngjalli mjaft reagime të ashpra nga opinioni, por edhe nga familja Rasha që thanë se kjo ishte vrasje për herë të dytë.
Klodian Rasha u vra nga efektivi i “Shqiponjave”, Nevaldo Hajdaraj më 8 dhjetor përpara shtëpisë së tij. Vrasja e 25 vjeçarit ngjalli revolta të shumta në radhët e qytetarëve dhe kryesisht të rinjve, që shpërthyen në protesta të dhunshme në të gjithë vendin.