“Njollosët të drejtat e të rinjve”, studentët në protestë para MASH, kërkojnë dorëheqjen e Evis Kushit
Lëvizja për Universitetin ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Evis Kushi, pas deklaratave që ajo ka bërë për protestën e të rinjve. Aktivistët ngritën edhe shqetësimin menaxhimit të mësimit në kohë pandemie, dhe në shenjë revolte njollosën me bojë godinën e Ministrisë së Arsimit.
"Pasi gjithçka të mbarojë natyrisht që do të interesohemi bashkë me specialistët, me grupet e punës në Ministri por edhe në Drejtoritë Arsimore nëpër rrethe që të kemi emrat, të identifikojmë emrat e këtyre nxënësve. Kur bëjnë krime të tilla që në moshë kaq të vogël, imagjinoni më vonë…."
Kjo deklaratë e ministres së Arsimit, Evis Kushi, ka nxitur reagimin e studentëve dhe të rinjve, duke i ngritur ata edhe në aksione kundër këtij institucioni.
Për këtë Lëvizja për Universitetin ka kërkuar dorëheqjen e Ministres Kushi.
"Ju zonja Ministre për ditë të tëra keni tentuar të njollosni protestën e drejtë të të rinjve. Të protestosh nuk është krim por niveli më i lartë i vetëdijes qytetare. Krim dhe kriminale janë tentativa tuaja për të përndjekur të miturit në shkolla a thua se nuk ka mjaftuar përzënia e mijëra të rinjve jashtë vendit dhe pamundësimi i arsimimit për shumë të tjerë. Të rinjtë e sotëm kanë nevojë për mundësi ekonomike dhe arsimim të denjë dhe jo për psikolog të dhuruar nga qeveria."
Por nuk ishte vetëm kjo deklaratë që i bëri të rinjtë të revoltohen, ata shprehën shqetësim edhe për mënyrën se si po menaxhohet mësimi online.
"Që nga 2018, kur protesta e madhe ndodhi dhe u shfaqën të gjitha ato probleme në jetën universitare, në mënyrën sesi zhvillohet mësimi në universitet, që nga ajo ditë nuk ka ndryshuar asgjë përmbajtësisht në jetën e një studenti dhe jetën universitare. Me pandeminë është vështirësuar akoma më shumë jeta qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin akademik. Sot është shumë e vështirë që studentët të ndjekin mësimin online për shkak se një pjesë e mirë e tyre nuk kanë qasje në internet, nuk kanë pajisjet e duhura."
Në fund të deklaratave të tyre, të rinjtë në shenjë simbolike njollosën me bojë Miistrinë e Arsimit.
Lëvizja për Universitetin gjithashtu u shpreh se do nuk do të mungojnë as aksionet apo reagimet e tjera në terren për të gjitha politikat e Ministrisë së Arsimit.
