Pse u dorëhoq Lleshaj? Demalia kundër Nikollës: Po të ishte për moral, ikte fill pas vrasjes. Futi frymë ushtarake në polici

Analisti, Ilir Demalia, nuk bie dakord me deklaratën e zëvendësministrit të Shëndetësisë Albert Nikolla se dorëheqja e Sandër Lleshajt si Ministër i Brendshëm ishte një akt moral pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga policia dhe jo pasojë e protestave që shpërthyen pas kësaj ngjarje.

“Ka një keqkuptim dramatik, gati absurd krejt, që zoti Lleshaj ka dhënë dorëheqjen për shkak të protestave, nuk është e vërtetë. Kjo është fallse, e rremë. Nuk e ka dhënë dorëheqjen prej protestave. Nuk jepet qeveria për 50 vetë që prishën semaforë. Ai e ka dhënë dorëheqjen për shkak të moralit dhe qëndrimeve politike. Meqë dha dorëheqjen zoti Lleshaj ta japë edhe zoti Veliu. Kjo është absurde! Nuk kanë lidhje fare" deklaroi Nikolla për gazetaren Matilda Mcini në Ora News.

Por fill pas tij, në të njëjtën studio, por në lidhje me skype nga SHBA, Demalia thotë se për moral Lleshaj do të ikte fill pas vrasjes ose të nesërmen, teksa kritikon frymën ushtarake që ka futur në policinë e shtetit.

"Thotë që Ministri Lleshaj e dha dorëheqjen për moral dhe jo 50 halabakë. Unë i them këtij se nëse ministri Lleshaj do ta jepte dorëheqjen për moral do ta jepte që në momentin që ndodhi ngjarja ose të nesërmen. Mënyra e sjelljes së Lleshajt gjatë kohës që ka qenë Ministër i Brendshëm është e një njeriu pa moral, pa integritet, pa dinjitet dhe një njeri që do të përçmohet. Ai e krijoi atë frymë ushtarake për operacione ndaj popullësisë.  Policia sigurisht do të marrë masa por jo të shkojë në pikën e fundit" shprehet Demalia.

LEXO EDHE- Zv.ministri i Ramës: Protestuesit janë të paguar

Sa i takon protestave, Demalia i sheh si shkarkim të padrejtësive të akumuluara nga qytetarët si pasojë e keqqeverisjes.

"Policia është bërë më e ashpër, më e organizuar për të përdorur forcën në funksion të pushtetit kriminal të Edi Ramës dhe Ardi Veliut. Policia në çdo vend është domosdoshmëri për të ruajtur rendin dhe sigurinë por jo për tu shërbyer klaneve kriminale.Këta flasin për shkatërrim të 5 semaforëve apo disa xhamave. Po çfarë shkatërrimi i kanë bërë këta qytetit, trashëgimisë sonë kulturore, rinisë me shkollat dhe edukimin që janë kioska që shesin diploma, çfarë kanë investuar këta për këtë gjeneratë të re, çfarë vendesh argëtimi, ku janë parqet sportive që i bënë  pallate?

Këta kanë kaluar çdo kufij. Shkaku që krijon këto pasoja është keqqeverisja, abuzimi me pushtetin, korrupsioni galopant, pastrimi i parave të krimit. Çfarë është ky beton, u bë Tirana si bunker gjigand. Të gjitha këto të çojnë në revoltë, ndjenja e padrejtësisë është shumë e fortë. Nuk po them që Shqipëria të jetojë si Zvicra dhe Gjermania, se nuk kam luajtur mendsh, por të kishim një zhvillim normal. Në këtë situatë sigurisht që njerëzit do të shpërthejnë dhe do të bëjnë këto gjëra të dhunshme. Ndëshkohen pse kanë thyer një semafor, po këta kanë thyer Shqipërinë. E kanë kthyer Shqipërinë si një shkretëtirë po ta shohësh nga avioni" deklaroi Demalia.

https://www.youtube.com/watch?v=g1tQzVABTIg

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana