Protesta për Klodianin në Lezhë, policia procedon 15 qytetarë

Procedime penale edhe për 15 qytetarë të cilët morën pjesë në protestën e djeshme në Lezhë kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Sipa asaj që raporton Policia, të proceduarit akuzohen për organizim, grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, shkatërrim pronën, pengim qarkullimi të mjeteve të transportit dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

Policia Lezhë: Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Bashkisë Lezhë dhe tek rrethrrotullimi në hyrje të qytetit Lezhë, kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:

-K. A., M. L., S. T., E. Gj., P. M., P. M., K. K., Ll. P., E. H., P. H., S. N., A. R., K. B., A. P. dhe K. U.

Këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme duke hedhur sende të forta në drejtim të godinës së DVP Lezhë dhe Prokurorisë Lezhë, ku për pasojë kanë thyer disa xhama.

Gjithashtu, kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin rrugor Shkodër – Lezhë - Tiranë, për rreth një orë, si dhe kanë djegur koshat e mbeturinave në hyrje të qytetit të Lezhës.