Hakerët vjedhin të dhënat e vaksinës së kompanisë amerikane

Agjencia Europiane për Medikamentet ka njoftuar se ka rënë pre e një sulmi kibernetik ku u vodhën dokumente që kanë të bëjnë me vaksinat antiCovid. Sulmi kibernetik vjen pas një vargu sulmesh dhe paralajmërimesh kundër prodhuesve të vaksinave.

Agjencia Europiane për Medikamentet ka njoftuar se ka rënë pre e një sulmi kibernetik ku u vodhën dokumente që kanë të bëjnë me vaksinat antiCovid të zhvilluara nga kompanitë Pfizer dhe BionTech.

Deri më tani nuk ka informacion se prej nga ka ardhur sulmi kibernetik.

“Menjëherë është hapur një hetim i plotë në bashkëpunim të ngushtë me forcat e rendit dhe entitete të tjera përkatëse”-  njofton Agjencia.

BioNTech, në një deklaratë të botuar në faqen e saj në internet, tha se janë vjedhur dokumente nga server i tyre.

"Sot, ne u informuam ... se agjencia ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik dhe se disa dokumente janë aksesuar në mënyrë të paligjshme ", tha në komunikatë kompania.

Agjencia është subjekti që autorizon përdorimin e ilaçeve në të gjithë Bashkimin Evropian.

Ajo do të vendosë nëse vaksina e Pfizerit dhe BioNTechut, së bashku me atë të bërë nga Moderna janë të sigurta për t'u përdorur në vendet e Bashkimit Europian.

Sulmi kibernetik vjen pas një vargu sulmesh dhe paralajmërimesh kundër prodhuesve të vaksinave dhe organeve të shëndetit publik.

Më herët, shërbimet e sigurisë kishin paralajmëruar se inteligjenca ruse kishte synuar organizatat që përpiqeshin të krijonin një vaksinë të suksesshme.