"Fikni celularët!" Dëshmitari tregon si u arrestua gazetari i RTV Ora, po transmetonte live shoqërimet

Ekipi i Ora News ka mbërritur në komisariatin nr 2 ku po mbahet i shoqëruar gazetari Xhoi Malësia nga policia, pasi është arrstuar në momentin që po raportonte live arrestimet e protestuesve.

Të pranishëm ishin gazetari Klodi Karaj, Nertila Dosti, Altin Sulçe, si dhe të rinj që ishin pranë Malësisë në momentin e arrestimit.

Njëri prej të rinjve ka treguar se policët e veshur civil nuk lejonin askënd të filmonte, ndërkohë që gazetari i RTV Ora po raportonte live me celular në ato momente.

E gjithë situata ishte sepse filluan civilët arrestimet dhe ne arrestoheshim se ishin bërë disa djegie aty. Xhoi para 2-3 minutash po filmonte live kur po digjeshin kazanët dhe erdhi zjarrfikësja. Filluan arrestimet dhe Xhoi po filmonte me celular live. Problemi i civilëve ishte "Hiqni celularët". Edhe kur po kalonin makina të tjera, personave që po filmonin nga makina, u afroheshin te xhami dhe i thonin që të fiknin celularin. Unë isha afër me Xhoin, sepse i solla adaptorin për bateri. U tregonte që është gazetar. Në fillim e lanë të lirë civilët, më pas e arrestuan me uniformë. Edhe duke u thënë që është gazetar, për t’u identifikuan nuk e lanë dhe e arrestuan. Ishin një grup që u arrestuan”, tregon i riu.