“Klodiani” ngre shqipërinë në revoltë, vrasja e 25 vjeçarit “zgjon” ndjenjën qytetare

Për dy ditë, i gjithë vendi është pëfshirë nga protesta e revoltë për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie. Si herë rrallë vitet e fundit, qytetarët kanë dalë në sheshe për tiu përgjigjur thirrjeve qytetare, dhe jo politikës.

Paralelisht me Tiranën, revolta për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie u shtri për të dytën ditë radhazi në të gjithë vendin.

Në Korçë nuk munguan as momentet e tensionit, ku protestues kryesisht të rinj sulmuan me gurë godinën e Bashkisë, dhe dogjen pjesë nga dekori festiv.

Për të shpërndarë protestuesit, ndërhynë forcat speciale të Policisë, ndërsa disa persona u shoqëruan në komisariat.

Në Lezhë, protestuesit hodhën gurë e sende të forta ndaj institucionit të prokurorisë, ndërsa bllokuan për disa minuta superstradën që të con në Shkodë e Tiranë.

Protesta u mbajtën edhe në Berat, Lushnje, Mamurras, Vlorë etj.

Me pankarta e thirrje ata kërkuan largimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj që tashmë është zyrtarizuar dhe gjithë qeverisë Rama.

Para se të përfundonin në një shprehje të revoltës ndaj Policisë e gjithë Qeverisë, protestuesit ndezën qirinj e vendosën lule në kujtim të Klodian Rashës.