Zbulohet çfarë e shkaktoi ‘sëmundjen misterioze’ që mbushi spitalet
Ministria indiane e Shëndetësisë njofton se nuk ka një sëmundje misterioze që përkeqësoi shëndetin e 500 qytetarëve pak ditë më parë, por është një helmim masiv.
Deri më tani analizat tregojnë për nivele të larta plumbi dhe nikeli në gjak, që sipas qytetarëve vjen nga përdorimi pa kriter i disa lloje pesticidesh.
Institute të rëndësishme dhe agjenci ndërkombëtare u alarmuan pak ditë më parë teksa mbi 500 persona u shtruan me të njëjtat simptoma të tipit epileptik dhe një u nda nga jeta, në një rajon jugor të Indisë.
Një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka mbërritur në vendngjarje. BBC dhe media të tjera të rëndësishme shkruan se mos bëhej fjalë për një sëmundje të re misterioze.
Ndërkohë, këtë të mërkurë, autoritetet indiane njoftojnë se pas analizave të shumta, kanë dalë në përfundimin se flitet për një helmim masiv neurotoksik.
Sipas raportit mjekësor, pacientët kishin nivele shumë të larta në gjak të metaleve të rënda, plumb dhe nikel, që janë edhe shumë toksike .
"Ne e kemi identifikuar paraprakisht shkakun kryesor të këtij fenomeni të çuditshëm, por nuk është ende e qartë se cili është burimi dhe si dhe pse ka ndodhur," tha një zyrtar i Shëndetit Publik në Indi.
Banorët e zonës fajësojnë një fushatë të kohëve të fundit kundër mushkonjave, e cila përdori një lloj pesticidi për të vrarë insektin. Sipas tyre substanca mund të shkaktojë dëmtime të rënda neurologjike tek njerëzit nëse ndodh një ekspozim aksidental i nivelit të lartë.
Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm ndaj helmimit nga organoklorin, pasi ato thithin nivele më të larta të metaleve të rënda sesa të rriturit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
"Ishte helmim me neurotoksina, me shumë gjasa nga plumbi dhe nikeli, por ne ende nuk kemi gjetur burimin e infeksionit", tha një prej doktorëve në zonën e ngjarjes, në Eluru.
Ka pasur vdekje të mëparshme për shkak të ekspozimit me pesticide të rrezikshme në Indi.
Në vitin 2013, të paktën 25 fëmijë humbën jetën pasi hëngrën ushqim që ishte përgatitur në një vaj gatimi i cili përmbante nivele të larta të pesticideve.
Rreth tre milion njerëz janë të ekspozuar ndaj niveleve toksike të organofosfateve çdo vit, zakonisht punëtorë bujqësorë, duke rezultuar në 300,000 vdekje, sipas një studimi të botuar në korrik të 2020-ës nga studiuesit nga Universiteti i Illinoisit.