Dëshmia e të penduarit, si u përgatit ekzekutimi me shpërthim të telekomanduar i Vajdin Lamajt
Pas 15 vitesh së vrasjes së Vajdin Lamajt, SPAK deklaron se ka mundur të zbardhë ngjarjen dhe të zbulojë autorët.
Për këtë është sërish dëshmia e të penduarit Luftar Reçi që ka hedhur dritë, sipas akuzës mbi ngjarjen.
Edhe pse nuk ka marrë pjesë në shpërthimin me tritol të ashensorit ku ishte Lamaj, Reçi shprehet se ka qenë Lulzim Berisha që i ka kërkuar një sasi lënde plasëse me telekomandë.
"Për këtë minë kam paguar 1600 euro. Kur shkova tek piceria e Lulit, kam gjetur Lulin, Lentin dhe një person tjetër që qëndronte si roje te dera. Në piceri u ulëm tek një nga tavolinat dhe diskutuam për montimin e minës dhe gjetjen e një eksplozivi".
Montimi i bombës sipas Reçit është bërë në shtëpinë e motrës së Lulzim Berishës ku më pas Indrit Taullai ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit.
“Pas pak kohe Luli, Lenti, Indriti, J. dhe unë shkuam te shtëpia e motrës së Lulit që quhej J. Ishte një shtëpi trekatëshe me shkallë nga jashtë në oborrin e saj ishte parkuar një makinë BMW X5 me ngjyrë të zezë. Në kat të parë ishte një garazh ku u futëm për të përgatirur lëndën plasëse. Indriti tha se këtë tritol do ta përdorim për ta vendosur në një makinë, e cila do të vendoset afër një tjetre për të shpërthyer".
Vrasjen e Vajdin Lamajt, Reçi thotë se e ka mësuar nga media e menjëherë pas kësaj thotë se ka telefonuar Berishën, por ai i ka thënë se ndodhet në Turqi. Teksa shton se Viktor Ymeri kishte arritur të gjente një informator pranë Lamajt, duke marrë vesh se kur duhej bërë shpërthimi i minës nga Emiljano.
"Në vitin 2013, në burgun e Peqinit. Viktori me tha se ‘edhe kur u vra Vajdini, unë nga burgu i gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit, se ata nuk ja kanë haberin."
Madje Reçi shprehet se mina me telekomandë do të shpërthehej në një makinë, por plani u ndryshua pas një telefonate.
Teksa shpjegon se dinamiti i përdorur ishte sa dy paketa cigare Marlboro, ku lexonte "Made in Cernagoro".