"I mbështetur në pemë pranë një lokali", policia rindërton skemën e vrasjes së të riut, pyeten efektivët e “Shqiponjave”
Vrasja e të riut Klodian Rasha nga efektivi i policisë së "Shqiponjave" është mbushur me hije dyshime. Teksa kanë përcjellë për në banesën e fundit djalin e tyre, familjarët, por edhe shokët e të riut hedhin poshtë deklarata e policisë duke thënë se Klodiani nuk ka mbajtur asnjëherë armë dhe ishte person joproblematik.
Një ditë pas vrasjes së 25 vjeçarit, Klodian Rasha, grupi hetimor ka rindërtuar skemën dhe dinamikën e ngjarjes që çoi në ekzekutimin e të riut.
Hetuesit kanë marrë në pyetje efektivët e policisë që kanë qenë në shërbim dhe dëshmitarë të ngjarjes për të hedhur dritë për vrasjen e 25 vjeçarit.
Sipas grupit hetimor, i riu është pikasur i mbështetur në një pemë pranë një lokali ku efektivi i ka kërkuar të ndalojë dhe me pas Rasha ka vrapuar duke kaluar në anën tjetër të rrugës, duke bërë një trajektore dhe për tu rikthyer pranë rrugicës ku u ekzekutua.
Sipas hetuesve, arma e cila dyshohet se i përkiste të riut është gjetur rreth 100 metra nga vendi ku është ekzekutuar.
Grupi i posaçëm hetimor ka rimarrë në pyetje efektivin e policisë i cili është shprehur se i riu e ka kërcënuar dhe më pas e ka qëlluar nga frika.
Ndonëse kanë kaluar disa orë pas ngjarjes hetuesit ende nuk kanë në dispozicion ekspertizën përfundimtare të armës së gjetur.
Me lot dhe dhimbje qindra familjarë dhe të afërm i dhanë lamtumirën e fundit 25 vjeçarit Klodian Rasha.
Familjarët dhe të afërmit vijojnë të akuzojnë policinë për ngjarjen pasi sipas tyre i riu nuk mbante armë dhe njihej si person jo problematik.
"Duke bërë llaç gjithë ditën, kisha një usta në shtëpi duke bërë një suvatim.Doli natën për të blerë një paketë, ikën nga maska, se nuk kishte maskë, polici e gjëmon pas dhe e qëllon në kokë një fëmijë 25 vjeç.Kërkoj drejtësi nga shteti, jo të më vrasin djalin te dera e shtëpisë."
Edhe shokët e Klodianit, të cilët e njohin prej me shume se 20 vitesh, shprehen se ai nuk mbante armë asnjëherë.
"Nuk ka pasur kurrë armë në jetën e tij se nuk ka pasur probleme me asnjeri."
Klodian Rasha u ekzekutua mëngjesin e të martës nga efektivi i repartit "Shqiponja" rreth orës 01:45 gjatë kohës që i riu kishte dalë për të blerë cigare.
Pas reagimeve të shumta, Policia e Shtetit doli me një deklaratë, ku shpreh ngushëllimet për familjarët, ndërsa thotë se strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit po analizojnë në mënyrë intensive të gjithë shkaqet, veprimet, mosveprimet apo faktorë të tjerë që çuan në incidentin fatal.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një mesazh ngushëllimi ju bën thirrje agjencive ligjzbatuese dhe autoriteteve të tjera shtetërore, t`i përgjigjen menjëherë nevojës së mbarë shoqërisë për drejtësi, përmes një hetimi të shpejtë, të plotë, të pavarur, objektiv dhe transparent për ngjarjen e rëndë të vrasjes së shtetasit Klodian Rasha.
Ndërsa prokurorisë i kërkon të vërë para përgjegjësisë autorët e krimit.
Avokati i Popullit duhet të dalë me rekomandimet të posaçme për Policinë e Shtetit, ndërsa shoqërisë civile Kreu i Shtetit i kërkon të jetë më aktive në krah të mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve në raport me veprimet e Policisë së Shtetit.