Taullai u arrestua me urdhër të SPAK, dyshohet për një ngjarje kriminale në Durrës
Ish-anëtari i bandës së Durrësit, Indrit Taullai, u arrestua në Kosovë me urdhër të SPAK pasi dyshohet se është përfshirë në një ngjarje kriminale në qytetin e Durrësit. Ndalimi i tij u bë pasi u shpall në kërkim nga Interpol Tirana, ndërsa aktualisht po mbahet në paraburgim në Prizren në pritje për vazhdimin e procedurave.
Ish-anëtari i bandës së Durrësit, Indrit Taullai, është arrestuar në Kosovë të dielën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion, SPAK, me akuzat e përfshirjes në grup të strukturuar kriminal.
Zyrtarisht Policia e Shtetit nuk ka dhënë detaje nga arrestimi, pasi po vijojnë hetimet, por mësohet se Taullai është i dyshuar për një ngjarje kriminale në qytetin e Durrësit.
Pas arrestimit në një qendër tregtare, ai po mbahet në paraburgim në Prizren.
45-vjeçari kishte hyrë në Kosovë të shtunën në datën 5 Dhjetor, por një ditë më vonë u arrestua, menjëherë sapo Interpol Tirana dërgoi urdhrin për arrestimin e tij.
Indrit Taullai është një emër i njohur, pasi ka qenë i dënuar me 25 vite burg, por u lirua nga Gjykata e Lartë me argumentin se vuante nga një sëmundje e rëndë.
“Banda Durrësit”, ku ai bënte pjesë ka nisur të veprojë në qytetin bregdetar prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, i cili gjithashtu është në liri me kusht, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.
Seriali i vrasjeve vijoi edhe në pranverën e vitit 2006, ku u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.
Njëri prej tyre, Adriatik Coli, u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia.
Edhe ky i fundit përfitoi lirinë në vitin 2015.
LEXO EDHE:
I shpëtoi burgut në Shqipëri, arrestohet në Kosovë anëtari i ‘Bandës së Durrësit’, Indrit Taullau