Franca në zi, ndahet nga jeta arkitekti i integrimeve europiane

Ish-presidenti francez, Valery Giscard d’Estaing, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare pas komplikimeve me koronavirus. Ai njihet ndër arkitektët e integrimeve evropiane në vitet 1970.

Franca është në zi pas ndarjes nga jeta të ish-presidentit Valery Giscard d’Estaing.

Ish-kreu i lartë i shtetit humbi të mërkurën betejën me koronavirusin në moshën 94-vjeçare, pasi prej muajsh kishte luftuar edhe me sëmundjen e zemrës.

Valery Giscard d’Estaing përfaqësoi Francën për një mandat të plotë në vitet 1974-1981, duke u shquar si reformator ambicioz dhe europianist.

Politikat e tij u fokusuan te forcimi i partneritetit franko-gjerman pas luftës, te nisma për integrimin europian, te fuqizimi i vendit në aspektin bërthamor dhe temat më sociale.

Parlamenti francez mbajti të enjten një minutë heshtje në ndër të ish-presidentit Valery Giscard d’Estaing.

Për francezët, Valery Giscard d’Estaing do mbetet ndër presidentët e rëndësishëm të vendit.

"Francezët do vazhdojnë të flasin për të, në shkollë do vazhdohet të mësohet për të dhe mendoj se ka për të qenë gjithmonë pjesë e jona."

"Do e mbajmë mend si president sepse ishte i vetmi që u ul tok me ne, të thjeshtët. Ishte i respektuar, i afërt me popullin e vet."

Pas humbjes së garës për mandatin e dytë ndaj rivalit Francois Mitterrand, ish-presidenti Valery Giscard d’Estaing vazhdoi karrierën si deputet për t'i dhënë fund pastaj politikës në vitin 2004.

"Drejtimin që ai i dha Francës, ne vazhdojmë ta mbajmë edhe sot," u shpreh presidenti francez, Emmannuel Macron, ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel, ndau ngushëllimet duke shtuar se Gjermania humbi mikun e saj dhe të gjithë humbën europianin e pastër që ai përfaqësonte.