Tensione diplomatike mes Serbisë dhe Malit të Zi, dëbohen ambasadorët

Marrëdhëniet diplomatike Serbi-Mal i Zi kanë hyrë në një fazë acarimi duke përfunduar në fundjavë me dëbimin nga vendi të ambasadorëve respektivë.

Ishte Podgorica e para që e shpalli ambasadorin serb, Vladimir Bozoviç, si "persona non grata" dhe i kërkoi të largohej nga vendi.

Qeveria në ikje malazeze tha se diplomati serb vazhdimisht ndërhynte në çështjet e brendshme, dhe pak orë më parë e kishte vlerësuar si "çlirim" dhe vendim "me vullnet të lirë" aktin e Kuvendit të Podgoricës më 1918-ëm, për t'iu bashkuar asaj që më vonë do quhej Jugosllavi.

Për Mali e Zi, vendimi parlamentar i asaj kohe ishte i paligjshëm.

"Pas disa paralajmërimeve verbale dhe me shkrim për qëndrimet e tij të papranueshme, dje ambasadori Bozoviç e përçmoi edhe një herë në mënyrën më direkte, shtetin që i dha atij imunitet diplomatik," njoftoi Ministria e Jashtme malazeze.

Beogradi reagoi në reciprocitet ndaj ambasadorit malazez në vend, Tarzan Miloseviç, duke i kërkuar atij të largohet brenda 72 orëve nga Serbia.

Serbia dhe Mali i Zi vijojnë të kenë raporte të tendosura që pas ardhjes në pushtet të kryeministrit dhe tani presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, i cili e udhëhoqi shtetin drejt pavarësisë nga Serbia.

Koalicioni i Gjukanoviçit u mund në zgjedhjet e fundgushtit, ndërkohë që qeveria më proserbe që doli fituese pritet të marrë pushtetin javën tjetër.