28 Nëntori, edhe ditëlindja e komandantit Adem Jashari
Sot, 28 Nëntor, është dita e lindjes e një ndër luftëtarëve më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar, Adem Jashari.
Jashari lindi në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor 1955. Ai ishte themelues i UÇK-së, komandant dhe hero i Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.
Adem Jashari mori pjesë në Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ku kërkesë kryesore e shqiptarëve ishte “Kosova Republikë”.
Qëndroi në ilegalitet deri në vitin 1989,për shkak të përndjekjes nga ana e forcave serbe. Në vitin 1990, Adem Jashari organizoi grupet e para të armatosura në Kosovë. Ai, së bashku me vëllezërit Rifatin e Hamzën në vitin 1991, arritën të çanin rrethimin e forcave serbe.
Forcat e Adem Jasharit, më 25 nëntor 1997, sulmuan trupat e policisë serbe në Vojnik, duke i detyruar ato që të tërhiqen. Ndërsa më 28 nëntor 1998, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në tribunë me simbolet e UÇK-së.
Më 2 mars 1998, forca të shumta serbe të shoqëruara me tanke, autoblinda dhe artileri rrethuan shtëpinë e familjes Jashari.
Në shtëpi ndodheshin 22 pjesëtarët e familjes, të cilët luftuan me forcat serbe për tri ditë e netë. Nga kjo familje mbetën të vrarë 21 vetë nga mosha 9 deri në 74 vjeç. Adem Jashari, ishte mes këtyre të vrarëve. Ai u kthye në simbol frymëzimi dhe rezistence për shqiptarët.