Osmani shkarkon konsujt e Thaçit në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë

Konsujt e Kosovës në Tiranë, Pragë, Lubjanë dhe Shkup u shkarkuan me një dekret të ushtrueses së detyrës së presidentit Vjosa Osmani. Midis të shkarkuarve është edhe Flakron Shala, djali i deputetit Haxhi Shala, vota e të cilit ishte vendimtare për formimin e qeverisë Hoti.

Pak javë në krye të shtetit dhe ushtruesja e detyrës Vjosa Osmani po zhbën vendimet e paraardhësit të saj Hashim Thaçi.

Ajo shfuqizoi katër dekrete të emërimit të konsujve të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

“Për tri rastet e para (të konsujve të Pragës, Lubjanës dhe Shkupit), bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada,” thuhet në njoftimin e presidencës.

Aty sqarohet gjithashtu se për konsullin e Tiranës, Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Këtë vendim, Osmani e kishte paralajmëruar më herët pasi mediat lokale raportuan për emërimin e Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si Konsull i Përgjithshëm në Pragë. Vota e Haxhi Shalës ishte vendimtare për të formuar qeverinë e tanishme të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, kur u votua qeveria e re, deputeti Shala tha se ndryshoi mendim, pasi një natë më parë ishte takuar ish-presidentin Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Emërimi i Flakron Shalës u kundërshtua ashpër edhe nga shoqëria civile e Kosovës. Kryeministri Avdullah Hoti tha se ky emërim ishte bërë pa dijeninë e tij.

Konsujt e tjerë të shkarkuar janë: Blendi Kilaj në Lubjanë, Lindon Kqira në Shkup dhe Halim Krasniqi në Tiranë.

Zonja Osmani thotë se është zotuar që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike në Shërbimin Diplomatik.