Gjyqtarët e GJKKO kërkesë Gjonaj: Dosjet që s`kemi kompetencë të transferohen në rrethe
Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme i kanë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë një kërkesë për kryerjen e ndryshimeve ligjore në aktin normative mbi të cilin po funksionin Operacioni Forca e Ligjit.
Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë thekson se është e mendimit që ky institucion të shqyrtojë vetëm kërkesat për sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave e pasurive të dyshuara si të përfituara në kuadër të krimit të organizuar dhe korrupsionit sipas kompetencës lëndore që ka kjo gjykatë.
Gjyqtarët thonë se për këtë arsye aktit normativ të OFL-së i duhet bërë një ndryshim në nenin 9, ku të përcaktohet që kërkesa për sekuestrimin ose konfiskimin e pasurisë të shqyrtohet nga gjykata kompetente për veprën penale për të cilën është akuzuar apo dënuar pronari i aseteve që janë objekt i hetimit.
Në këtë mënyrë Gjykata e Posaçme duket se tenton të transferojë në rrethe dosjet që OFL në policinë e shtetit përcjell edhe për shtetas të dënuar për grabitje apo armëmbajtje pa leje dhe një sërë veprash të tjera që nuk janë kompetencë e SPAK dhe e Gjykatës së Posaçme, të cilat janë krijuar për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.