Vaksina anti-Covid/ BE dhe 'Moderna' firmosin nesër për 160 milionë doza

Qeveritë e vendeve të zhvilluara kanë filluar përgatitjet për të vaksinuar popullatën, ndonëse kthimi në normalitet do të jetë i vështirë dhe i gjatë. Që pa filluar ky proces, disa kompani ajrore thonë se do të lejojnë bordin e avionëve vetëm pasagjerët e vaksinuar. Shqetësim gjithashtu është shpërndarja e vaksinës në vendet e varfra.

Lajmet e mira për vaksinën kundër Covid-19 ditët e fundit e kanë lehtësuar disi ankthin e qytetarëve, por sëmundja mbetet shumë e përhapur dhe udhëheqësit politikë bëjnë ende thirrje për durim.

Qeveritë nga ana tjetër po bëhen gati për të filluar fushatat e vaksinimit sapo rregullatorët t’u ndezin dritën e gjelbër vaksinave që kanë mbyllur fazën e tretë të testimit.

Të martën, Komisioni Europian njoftoi arritjen e marrëveshjes me gjigandin amerikan Moderna për furnizimin me 160 milionë doza.

"Çdo vend anëtar do ta marrë vaksinën në të njëjtën kohë," tha presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen said. Problem mbetet tani qasja në vaksinë e vendeve të varfra.

Pavarësisht përparimit të shënuar me vaksinat, kthimi në normalitet i ekonomisë globale mbetet i largët.

Kreu i kompanisë australiane të fluturimeve Qantas thotë se me shumë mundësi në bordin e avionëve në të ardhmen do të lejohen vetëm pasagjerët e vaksinuar.

Industria e aviacionit është ndër më të prekurat nga pandemia dhe sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror sektori ka shënuar një rënie prej 60 për qind.

Ditët e fundit numri i përgjithshëm i infektimeve në Europë ka rënë dhe kjo po i nxit qeveritë të njoftojnë heqjen e pjesshme të kufizimeve. Plane të tilla ka njoftuar, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Në shumë vende europiane ndalohet grumbullimi i mbi dhjetë vetëve deri më 1 janar dhe ekziston frika se pas periudhës së pushimeve Europa do të ndeshet me valën e tretë të pandemisë.

Nga ana tjetër lajmet pozitive për vaksinën kanë shtuar besimin në tregjet financiare të cilat kanë reaguar pozitivisht pas nisjes së përgatitjeve për vaksinimin.

Pas dy vaksinave amerikane, një europiane tani Rusia, tha se vaksina e saj Sputnik V rezulton 95 për qind efikase. Ashtu si dhe vaksina e zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oxfordit, vaksina ruse mund të ruhet në temperaturë normale frigoriferike midis 2 dhe 8 gradë Celsius.