Rebelët godasin cisternat saudite, forcat proiraniane hute luftojnë koalicionin e drejtuar nga Arabia Saudite

Rebelët hutë të Jemenit, të mbështetur nga Irani, po intensifikojnë përplasjet me rivalët sauditë duke i shkaktuar dëme edhe prodhuesit më të madh të naftës në vend dhe në botë.

Kompania "Aramco" njoftoi se arriti t'i shuajë shpejt flakët që shpërthyen në ambientet e saj.

Por sulmi nga ajri që u raportua të martën krijoi një zgavër rreth 2 metër të gjerë në çatinë e njërës prej cisternave të mëdha të naftës, e cila tani po i nënshtrohet riparimit.

Sipas rebelëve jemenas, goditja me raketa erdhi si reagim ndaj rolit të Arabisë Saudite në udhëheqje të koalicionit ushtarak që po tenton zmbrapsjen e tyre nga rajoni.

Pjesë e aleancës janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rebelët vijojnë luftimet edhe me forcat qeveritare jemenase, konflikt i cili për gjashtë vite ka prodhuar një krizë humanitare dhe zi buke në shumicën e shtetit arab.

Nga lufta civile e Jemenit mësohet se janë vrarë mbi 100 mijë veta, më shumë se 12 mijë civilë, 500 prej tyre në Arabinë Saudite, ndërsa 3 milionë njerëz janë shpërngulur nga vendbanimet.

Luftimet vazhdojnë edhe pasi qeveria jemenase dhe rebelët hutë ranë dakord në javët e kaluara që të shkëmbejnë mijëra të burgosur të luftës të palës kundërshtare, në kuadrin e një marrëveshjeje për paqe të arritur nga Kombet e Bashkuara në Suedi më 2018-ën.