“Nuk kanë parë asnjë investim që në kohën e Enverit”, fshatrat që bashkia e Beratit kujtohet vetëm për vota

Rruga që lidh, fshatrat Rabiak, Lodhishten, Karkanjozin, dhe Tomor në Berat, është në gjëndje të mjerueshme.

Me automjete të vogla, është mjaft vështirë dhe pothuajse e pamundur të kalohet, për shkak të gropave.

“Rruga është shumë e keqe, me gropa dhe është shumë e vështirë të kalosh”, shprehen banorët.

 Më të rinjtë thonë se s’kanë parë kurrë një investim në këtë rrugë.

“Që kur kam lindur unë kurrë nuk kam parë asnjë investim . I bëj thirrje bashkisë për të verë dorë e të bëj investime, se kjo është një zonë që ka shumë lëvizje”, shprehen banorët.

Më të moshuarit kujtojnë ndërhyrjen e realizuar para vitit 1990, në sistemin e shkuar, dhe që atëherë nuk është venë dorë.

“Ruga është shumë e keqe, akoma është rruga e bërë nga Enver Hoxha, gjithashtu edhe dritat”, shprehen banorët.

Thonë që drejtuesit e Bashkisë Berat shkojnë vetëm per vota në fshat, ndaj apelojnë që askush të mos shkojë që të kërkojë më votën e tyre.

“Në zonën  tonë vijnë sa për vota, ju lutem shumë mos hajdeni më për votime”, shprehen banorët.

Mungesa e aksit rrugor në këto fshatra dëmton rëndë edhe ekonomitë familjare, pasi sipas banorëve prodhimet bujqësore nuk i shesin dot për shkak të mungesës së transportit.