Pompeu: Lëvizjen për bojkotin e Izraelit do e cilësojmë antisemite

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha të enjten nga Izraeli se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta konsiderojë lëvizjen e bojkotit të Izraelit, udhëhequr nga Palestinezët, si "antisemitike".

Pompeo tha se do të ndërpresë mbështetjen e qeverisë për çdo organizatë që merr pjesë në këtë lëvizje. Lëvizja në fjalë ka si synim, sipas tyre, që Izraeli të zbatojë ligjin ndërkombëtar sa i përket problematikave me fqinjët.

Në konferencën e përbashkët të shtypit, kryeministri izraelit, Netanyahu, falënderoi administratën amerikane për lëvizjen e ambasadës së saj në Jeruzalem, ndërsa solli në vëmendje edhe njohjen e sovranitetit të Izraelit për Lartësinë Golan dhe qëndrimin e  ashpër kundër Iranit.

Plani i Presidentit në detyrë, Donald Trump për Lindjen e Mesme, sipas palestinezëve favorizonte më shumë Izraelin, ndaj edhe e kanë refuzuar atë. Sipas tyre, ky plan lejon Izraelin të aneksojë deri në një të tretën e Bregut Perëndimor. Palestinezët kanë protestuar për shkak të planit të sekretarit amerikan Pompeo për të vizituar vendbanimin hebre në Bregun Perëndimor.

Mijëra palestinezë u mblodhën në Ramallah të Bregut Perëndimor, teksa mbanin pankarta me parulla kundër vizitës së Pompeos.

Mediet amerikane shkruajnë se Presidenti i zgjedhur Joe Biden është zotuar të rivendosë ndihmën amerikane për palestinezët dhe të punojë në ringjalljen e procesit të paqes mes dy vendeve.

Ndërkohë, Bahrejni bëri një kërkesë zyrtare këtë javë për të hapur ambasadë në Izrael. Ndërmjet Izraelit dhe Bahrejnit më 15 shtator me një ceremoni të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë u nënshkrua marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.