"Mbrojtja e para", Britania e Madhe hap "thesin" për forcat e armatosura, buxheti më i madh në 30 vite
Mbretëria e Bashkuar do të bëjë të investimin më të madh në mbrojtje që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Pas negociatave disa javore me Ministrinë e Mbrojtjes dhe shefin e Thesarit, kryeministri Boris Jonhnson njoftoi rritjen e shpenzimeve ushtarake me 16.5 miliardë paund, që sipas tij do të sjellë përfundimin e "epokës së tërheqjes" dhe do të nisë një erë të re të teknologjisë në forcat e armatosura britanike.
"E mora vendimin në kulmin e pandemisë pasi mbrojtja e Mbretërisë duhet të vijë e para", deklaroi Johnson.
Investimi prej 16.5 miliardë paund i shtohet buxhetit të qeverisë britanike për mbrojtjen, i cili për këtë vit financiar është përcaktuar 41.5 miliardë paund dhe do të rritet çdo vit me 0.5% mbi inflacionin.
Johnson shtoi se situata ndërkombëtare "është më e rrezikshme dhe shumë më konkurruese që nga periudha e Luftës së Ftohtë", ndaj Britania e Madhe duhet të përmirësojë kapacitetet e saj në mënyrë që t'i qëndrojë besnike aleatëve të saj.
Marrëveshja financiare vjen vetëm një javë pasi kryeministri Johnson i premtoi presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Bide, se Britania është e vendosur për të mbetur një aleat i vlefshëm ushtarak.
Britania e Madhe është aktualisht vendi i dytë i NATO-s që shpenzon më shumë për mbrojtjen, pas Shteteve të Bashkuara.
Sipas Downing Street, investimi i ri në mbrojtje do të krijojë mbi 10 mijë vende pune çdo vit në të gjithë vendin.
Investimet parashikojnë ngritjen e një agjencie të re për inteligjencën artificiale, krijimin e Forcës Kombëtare Kibernetike, si dhe ngritjen e një Komande Hapësinore, e cila do të bëjë të mundur lëshimin e raketës së parë në vitin 2022.