Mish pa standarde në Shkodër, shërbimi veterinar: Të gjitha bagëtitë do të matrikullohen

Në Shkodër në prag të festave ka nisur verifikimi i gjase së gjallë, nga shërbimet veterinare. Autoritetet kanë vërejtur edhe këtë vit parregullsi, dhe bagëti të pamatrikulluara në shkelje me legjislacionin vendas.

Megjithëse ndryshimet ligjore përcaktojnë qartë mënyrën e tregtimit të gjësë së gjallë, sërish në tregjet e Shkodrës ka kafshë të pamatrikulluara.

Kjo u konstatua gjatë një inspektimi të kryer në tregun e Stom Golemit në njësinë administrative Rrethina, prej shërbimit veterinar.

Mark Preçi: Jo gjithçka shkon në rregull, këtu ka kafshë të pamatrikulluara. Por në lëvizjet e mëvonshme parashikohet që të mos mbetet asnjë kafshë e pamatrikulluar.

Ligji parashikon deri në sekuestrim të kafshëve, prandaj thirrja e fundit ndaj fermerëve është të kryejnë matrikullimet për të mos u përballur me këto sanksione.

Mark Preçi: Ligji parashikon sanksione deri në sekuestrimin e kafshëve. Por me futjen e 28 veterinerëve të lartë dhe të mesëm pranë çdo njësie vendore mundëson që të mos mbetet asnjë kafshë e pamatrikulluar.

Inspektimi i shërbimit veterinar të qarkut Shkodër vjen pak muaj përpara festave kur në tregje shtohen prezenca e fermerëve që duan të shesin bagëtitë.

Matrikullimi rrit garancinë edhe për konsumatorët, pasi në këtë mënyrë mishi që blihet është i sigurtë, pasi ka kaluar kontrollet e shërbimit veterinar.