SPAK i “mbytur” me dosje banale
Qindra dosje banale për korrupsion kanë mbytur SPAK. I tillë është dhe vendimi I dhënë sot me dënim për 120 orë pune, teksa çështjet më të ndjeshme për publikun, apo me akuza të rënda qëndrojnë në pritje të shqyrtimit.
Të gjitha veprat penale që kanë të bëjnë me korrupsion hetohen dhe gjykohen nga SPAK dhe gjykata e posaçme duke mbingarkuar këto institucione me dosje të lehta, të cilat më parë i gjykonin rrethet.
I tillë është edhe ky vendim i dhënë këtë të mërkurë për Vilson Meminin, i cili u dënua me 120 ore pune pasi kishte korruptuar me 10 mijë lekë një punonjës policie.
I akuzuari duhet ta kryeje dënimin pranë Shërbimit të Provës në Durrës ku dhe banon dhe shuma prej 10 mijë lekësh i ka kaluar shtetit.
Por rasti i këtij shtetasi nuk është i vetmi.
Gjykata e Posaçme dhe SPAK kanë në hetim dhe gjykim me qindra dosje të kësaj natyre të cilat kanë mbytur gjykatën e prokurorinë, duke mos i dhënë hapësirë për të shqyrtuar dosje më të rëndësishme të cilat janë ne pritje.