Panairi i Librit zhvillohet online, Ymeri: Një frymëmarrje edhe për shtëpitë botuese

Botuesit, shkrimtarët dhe lexuesit këtë vit do të takohen online për Panairin e Librit.

Për shkak të pandemisë së Covid-19 është zgjedhur kjo mënyrë e ekspozimit të titujve të rinj të botimeve.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri thotë se panairi do të zhvillohet nga data 12 deri në 15 nëntor.

"Së pari shitjet e librave online për lexuesit, sepse qëllimi kryesor i Panairit të Librit është që të kënaqen lexuesit, të bëjnë kërkesat e tyre për libra dhe lexime. Me platformat ekzistuese që shesin librat online dhe libra me porosi, njëkohësisht edhe platformave të reja që po punojnë për ta përmatuar Shoqatën e Botuesve. Do ketë edhe takime ku ne do të diskutojmë probleme që shqetësojnë komunitetin e botuesve", ka thënë Ymeri.

Si çdo sektor tjetër edhe te libri pandemia ka ndikuar negativisht, por edhe ky panair që pritet të ndihmojë botuesit dhe shkrimtarët për të rimarrë veten sado pak.

"Fuqia blerëse ka qenë e dobët. Duket qartë edhe në tregun e librit kështu që shpresojmë që ky aktivitet që do të zhvillojmë, të jetë një frymëmarrje edhe për shtëpitë botuese, edhe për shkronjat, edhe për të gjithë operatorët e sektorit", shton Ymeri.

Nuk dihet se sa efektive do të jetë mënyra e re e panairit, por Shoqata e Botuesve është ende duke diskutuar për detajet e organizimit që shumë shpejt do të bëhen publike.