Përplasje me policinë për shtëpitë, banorët e Baldushkut ndalin fadromën me trup

Vendimet dhe proceset gjyqësore duket se nuk kanë vlerë kur bëhet fjalë për shembjen e pronave të familjeve.

Një grup banorësh të fshatit Mustafakoc në zonën e Baldushkut kanë dalë në protestë për të kundërshtuar shembjen e rreth 20 objekteve, magazina dhe shtëpi banimi.

Sipas banorëve gjykata i ka dhënë të drejtë, por IMT dhe policia bashkiake mbërritën këtë të martë me mjete të rënda.

Pavarësisht pretendimeve, policia bashkiake ka tentuar të rrethojë zonën, çka ka sjellë deri në përplasje fizike.

Edhe policia e rendit i është bashkuar asaj bashkiake duke tentuar të shoqërojnë disa banorë.

Përballë forcës, banorët zgjodhën të reagojnë në heshtje, duke u ulur para fadromës e cila u nis për shembjen e objekteve.
"Na shqyen policët!"
"Do mbrojmë pronat tona, të më shembet shtëpia dhe të dal në rrugë."
Vetëm pas qëndresës, policia e rendit ka kërkuar dokumentet nga IMT dhe bashkia.

Pas dy orësh diskutimesh mes atyre që përfaqësojnë shtetin dhe që duhet të mbrojnë të drejtën e qytetarit, IMT tërhoqi mjetet e punës.

Banorët e zonës thonë për Ora News se kjo është një grabitje që bashkia e Tiranës i bën pronave të tyre.

"Bashkia po na vjedh pronat, jemi me shtëpi këtu 70 vjet. Se ku do të na çojnë, a të na vrasin, të bëjnë çfarë të duan."

"Këto nuk e njohin gjyqin që kemi bërë, dy herë të marrë me vendim të gjykatës së shkallës së parë, 18810 metra katrorë tokë, me kthim pronash e të gjithë. Ai vetë ka thënë kap ça të kapësh."

Në fshatin Mustafakoc është planifikuar që të ndërtohen disa objekte për të strehuar banorët e fshatit Vrap shtëpitë e të cilëve janë shembur pas dëmtimit nga tërmeti.

https://youtu.be/wKAeut2uNR8