Vdekja e 53-vjeçarit nga Ndroqi, QSUT mohon akuzat: Mori ndihmën mjekësore

QSUT reagon lidhur me vdekjen e Lutfi Çekirit, 53-vjeçarit nga Ndroqi i Tiranës i cili ndërroi jetë, sipas familjarëve, pas mosmarrjes së ndihmës mjekësore.

Sipas Qendrës Spitalore, i ndjeri ka marr ndihmën e duhur mjekësore, ndërsa siguron opinionin publik se në qendrën spitalore në vend vijon shërbimi normalisht.

“Lidhur me rastin e publikuar në disa media dhe disa rrjete sociale, mbi rastin e pacientit L.Ç.,  Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit,  informon se nga verifikimet e kartelës klinike dhe ecurisë së ndjekjes klinike të pacientit, rezulton se pacienti në QSUT ka marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.

QSUT sqaron publikun se trajtimi mjekësor  vijon pa ndërprerje, për të gjithë qytetarër që kërkojnë ndihmë mjekësore, pavarësisht diagnozave”, thuhet në reagimin e QSUT.

Ditën e premte Lutfi Çekiri, u paraqit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marrë ndihmë mjekësore.

Aty e kishin adresuar mjekët e Spitalit të Traumës, të cilët pasi i bënë një serum dhe e mbajtën disa orë në urgjencë mbrëmjen e së enjtes, e drejtuan në QSUT.

53-vjeçari nga Ndroqi së bashku me bashkëshorten, në kushte të vështira shëndetësore provoi çdo derë të QSUT-së, por nuk mori shërbim.

Ai vuante nga diabeti dhe stomaku por mjekët me të cilët mundi të fliste i thanë se duhet të shkonte në fshat te mjeku i lagjes.

E gjithë sorollatja nga Trauma te QSUT dhe indiferenca e mjekëve rezultoi vdekjeprurëse për 53-vjeçarin.

Bashkëshortja tha për Ora News se Lutfi Çekiri ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes pasi nuk iu ofrua ndihmë.

Ditën e sotme, lidhur me këtë rast reagoi edhe PD-ja përmes ish-deputetes Oriola Pampuri, e cila kërkoi dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu duke shtuar se spitalet në vend janë në kolaps të plotë.