Si do bëhet kalimi tek ish-Dogana?

Prej ditës së hënë për 3 deri në 4 muaj kalimi tek rrethrrotullimi i ish-Doganës do jetë i bllokuar për shkak të punimeve që po bëhen në Unazën e Madhe në kryeqytet. Qytetarët të cilët vijnë në Tiranë apo largohen nga kryeqyteti do të duhet të ndjekin rrugë alternative me automjetet e tyre.

Drejtuesit e mjeteve që vijnë në kryeqytet nga autostrada Durrës -Tiranë, do të bëjnë devijim të rrugës drejt Astirit ndërsa më pas nëpërmjet rrugës "Abedin Rexha" do të mund të vijojnë lëvizjen në brendësi të kryeqytetit.

Drejtuesit e mjeteve që ndjekin rrugën e Astirit në drejtim të ish-sheshit "Shqiponja", do të ndjekin këtë rrugë provizore.

Drejtim krejt të kundërt do të duhet të ndjekin qytetarët të cilët duan të largohen nga Tirana në drejtim të Durrësit, apo në drejtim të Kamzës për të vijuar drejt qyteteve veriore.

Drejtuesit e mjeteve që duan të largohen nga Tirana nga Zogu i Zi apo zona e Laprakës do të duhet të bëjnë devijimin e rrugës nëpërmjet këtij aksi.

Pasi të kalojnë në këtë rrugë ata do të takohen me automjetet që vijnë nga Astiri dhe do ndjekin drejtimin për në autostradë.

Bllokimi i nyjës kryesore të kalimit të automjeteve, për shoferët pritet të krijojë trafik të rënduar.

Zona te kthesa e Kamzës edhe në ditë të zakonshme është e renduar nga trafiku, por kjo lëvizje do të sjellë edhe më shumë kaos në këtë zonë.