Laçi si “qytet i bombarduar”, inertet e pallateve të shembur “gërmadhë” prej qershorit
Rreth një vit nga tërmeti 26 nëntorit, një pjesë e qytetit të Laçit ngjan si një qytet i bombarduar. Inertet e pallateve të shembur prej qershorit, janë lënë si gërmadha. Vonesat me procesin e rindërtimit, ka bërë që banorët e Kurbinit ta humbin shpresën se dita kur do të kenë sërish shtëpi do të jetë e shpejtë.
Kjo është pamja që të ofron lagjia numer katër në qytetin e Laçit.
Zona është mbuluar nga inertet që janë krijuar nga shembja e pallateve të dëmtuara nga tërmeti 26-nëntorit të vitit 2019-të dhe ngjan si një qytet i bombarduar.
Shembjet janë kryer që prej muajit qershor dhe askush nuk ka ndërhyre për largimin e inerteve të cilat kanë zënë vend aty, duke u kthyer në shqetësim për qytetaret.
“Në 26 qershor janë prishur, nuk i kanë pastruar.” Banoret e quajnë të papranueshme situaten e krijuar dhe disa e kanë humbur shpresën për rindërtimin e shpejtë të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Kanë për të mbetur gërmadhë, janë shembur kot. Nuk është normale por nuk ka shtet as pushtet. Nuk ka për tu ndërtuar më asnjëherë, është lojë.”
“Nuk ka kush i largon. Bashkia duhet ti pastrojë.”
Në Bashkinë e Kurbinit ka nisur proçesi i rindërtimit më shumë se 500 banesave, por numri i shtëpive të dëmtuara është shumë herë më i lartë, çka do të thotë se banoreve ju duhet të presin gjatë për shtëpitë e tyre.
