Shatërvani "Palma" në "Guinness"/ Atraksioni më i ri i Emirateve Arabe shtrihet në 14.000 m²

Me drita shumëngjyrëshe dhe ujë që ngrihet në lartësi në qiellin e natës, atraksioni më i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe siguroi Rekordin “Guinness” si shatërvani më i madh në botë. I vendosur në zonën bregdetare të Palm Jumeirah në Dubai, shatërvani u zbulua nëpërmjet një prezantimi që transmetohej drejtpërdrejt në të gjithë botën.

Shatërvani shtrihet mbi 14,000 metra katrorë në det dhe sipas drejtoreshës së Pasurive Gail Sangster, përmban 128 super gjuajtës që arrijnë deri në 105 metra lartësi.  I  zbukuruar me mbi 3,000 drita LED, shatërvani i vetëm shumëngjyrësh i Dubait, i projektuar me ngjyra dhe kontrolle shkëlqimi, do të jetë i hapur për publikun gjatë gjithë vitit.

 “Palm Fountain” u kurorëzua mbajtësi i Rekordit Botëror Guinness për shatërvanin më të madh në botë, duke i rrëmbyer kështu titullin shatërvanit “Banpo Rainbow” në Korenë e Jugut, me përmasa 2.519 metra katrorë.