Çmimi nga BE/ Meta uron gazetaren dhe premton: Më 25 prill merr fund blerja e votës

Presidenti I Republikës Ilir Meta ka uruar publikisht gazetaren Klodiana Lala për çmimin që iu akordua sot nga Bashkimi Europian, me motivacionin si gazetarja më e mirë investigative.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta përgëzon gazetaren për punën e saj për të hedhur dritë mbi dosjet e Durrësit, Shijakut, Dibrës.

Presidenti shprehet i sigurtë se ky fenomen do të marrë fund me zgjedhjet e 25 prillit.

MESAZHI I METËS:

Urime të përzemërta gazetares së mirënjohur, Klodiana Lala, për çmimin e parë të fituar në konkursin e BE-së për gazetarinë investigative, për shkrimin: “Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave”.

E përgëzoj Klodianën për punën, përkushtimin dhe kurajon e treguar, jo vetëm për të hedhur dritë mbi dosjet e Durrësit, Shijakut, Dibrës, Kavajës e Lezhës, dhe në tërësi mbi fenomenin kanceroz të blerjes së votave që do të marrë fund njëherë e përgjithmonë në 25 prill 2021.

Mirënjohje për të gjithë angazhimin e saj si misionare e fjalës së lirë, në funksion të informimit të drejtë e të paanshëm, gjithmonë në mbrojtje të interesit publik.

Gazetaria shqiptare ka sot më shumë nevojë se kurrë për modelin e gazetarëve të vërtetë dhe kurajozë si Klodiana Lala!