Google në gjyq, Departamenti amerikan i Drejtësisë e padit për pozita monopoli në treg
Këtë të martë, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka paditur gjigantin teknologjik Google. Jemi vetëm dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale, por duket se edhe republikanët e demokratët, edhe pse ndonjëherë për arsye të ndryshme, kanë përshpejtuar kritikat e tyre ndaj gjigantëve tekologjikë në muajt e fundit.
Departamenti amerikan i Drejtësisë paditi këtë të martë gjigantin teknologjik, “Google”. Departamenti pretendon se janë shkelur ligjet antitrust dhe se Google ka abuzuar me dominimin e tij si motor kërkimi dhe reklamimin në internet.
Kjo ka sjellë si pasojë, argumentojnë përfaqësuesit e Departamentit se është shtypur konkurrenca dhe janë dëmtuar konsumatorët.
"Google është porta hyrëse në internet , dhe e ka ruajtur fuqinë si monopol përmes praktikave përjashtuese që janë të dëmshme për konkurrencën" u tha gazetarëve Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm amerikan Jeff Rosen.
Rastet e antitrustit në industrinë e teknologjisë duhet të lëvizin shpejt, tha ai. Përndryshe "ne mund të humbasim valën tjetër të inovacionit".
Departamenti i Drejtësisë nuk po kërkon ndryshime specifike në strukturën e Google ose mjete të tjera korrigjuese në këtë pikë, por nuk përjashton mundësinë e kërkimit të lehtësimeve shtesë, thanë zyrtarët.
Në reagim të padisë, Google u përgjigj se Procesi gjyqësor i çelur nga Departamenti i Drejtësisë është thellësisht i gabuar. Njerëzit e përdorin Googlein sepse ata zgjedhin ta bëjnë - jo sepse janë të detyruar ose sepse nuk mund të gjejnë alternativa.
Paditësit pretendojnë se Google përdor miliarda dollarë të mbledhura nga reklamuesit, për të paguar prodhuesit e telefonave që sigurojë se Google është motori i parazgjedhur i kërkimit
Kritikat ndaj gjigantit teknologjik nuk kanë munguar as nga Administrata Trump. Një këshilltar i lartë ekonomik i Presidentit Donald Trump tha dy vjet më parë se Shtëpia e Bardhë po shqyrtonte nëse kërkimet në Google duhet t'i nënshtroheshin rregullimit të qeverisë.
Trumpi vetë shpesh ka kritikuar Googlein, se gjiganti i kërkimit është i njëanshëm ndaj konservatorëve dhe shtyp pikëpamjet e tyre, ndërhyn në zgjedhjet amerikane dhe preferon të punojë me ushtrinë kineze sesa Pentagoni.
Mediet amerikane njoftojnë se padi të tjera mund të vijojnë, duke pasur parasysh hetimet e vazhdueshme të kompanive të mëdha të teknologjisë, si Apple, Amazon dhe Facebook.