Thyhet armëpushimi, qindra të vrarë, krizë humanitare në Nagrono Karabak
Luftimet në enklavën e Nagrono Karabakut ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit po vazhdojnë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të 17 tetorit. Të martën, luftimet vijuan dhe palët nuk i përfillën thirrjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për respektimin e armëpushimit të arritur.
Azerbajxhani dhe Armenia arritën marrëveshjen e armëpushimit më 17 tetor, por kjo gjë nuk i ndali luftimet. Dhe tani ekziston frika se përshkallëzimi i dhunës në Nagorno Karabak mund ta zgjerojë konfliktin me përfshirjen direkte të Rusisë dhe Turqisë.
Zyrtarët në Nagorno Karabak, një enklavë separatiste në Azerbajxhan që kontrollohet nga armenët, raportuan për bombardime të reja mëngjesin e 20 tetorit. Po ashtu u njoftua se luftimet janë intensifikuar veçanërisht në pjesën jugore të zonës së konfliktit.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka raportuar për beteja në disa zona, përfshirë edhe në afërsi të Linjës së Kontaktit, që ndan të dy palët. Konflikti në rajonin e Nagorno Karabakut ka shtuar gjithashtu frikën e një krize humanitare, teksa qindra vetë janë vrarë në luftime.
Deri më 19 tetor raportohet për 729 ushtarë dhe 37 civilë janë vrarë gjatë luftimeve nga radhët e ushtrisë së enklavës. Azerbajxhani tha se 61 civilë janë vrarë dhe 282 janë plagosur, ndërsa refuzon të publikojë numrin e ushtarëve të vrarë.
Rajoni i Nagorno Karabakut, njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit. Por, që prej armëpushimit të vitit 1994, ky rajon është nën kontrollin e separatistëve armenë. (Leftion Peristeri)