Inceneratorët, Kryemadhi: Vepër korruptive e drejtpërdrejtë, 8 milion eurot e hedhura nuk ishin të domosdoshme
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka dalë sot në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia, teksa ka folur për inceneratorët në Tiranë, Fier dhe Elbasan.
Kryemadhi ka thënë se 8 milion eurot e hedhura për inceneratorin e Fierit nuk ishin të domosdoshme, duke shtuar që me këtë para mund të paguheshin naftëtarët.
Kryemadhi: Në komunën e Mbrostarit ku jo vetëm është tani janë hedhur mbi 8 milion euro që nuk ishin absolutisht të domosdoshme sepse do të ishin të domosdoshme për të paguar pagat e naftëtarëve se aq është buxheti i pagave të naftëtarëve ta rafinerisë së naftës. Ndërkohë inceneratori i Elbasanit jo vetëm që nuk punon me kapacitetin e plotë, por nuk bën dot as 100 ditë në 3 vite që në momentin kur është inauguruar deri më sot.
Kryetarja e LSI ka vijuar duke folur edhe për inceneratorin e Tiranës apo aferën korruptive të ndërtimeve në Tiranë.
“Për të mos vazhduar më pas me pagesën e vlerës prej 23 milion eurove që janë për inceneratorin e Tiranës apo për të mos vazhduar më për aferën korruptive që sot të gjithë ndërtuesit në Tiranë për të hapur gropat e ndërtimit dhe pse paguajnë taksën 8% në Bashkinë e Tiranës dhe pse paguajnë taksën 3% për të pastrehat në Tiranë ose në shërbim të Bashkisë së Tiranës kanë dhe një shumë prej disa mijëra eurosh për dheun që hiqet nga gropa për t’ia dhënë një kompanie private dhe më pas kur ky dhe do t’iu duhet përsëri për të rimarrë dhe për të rimbushur gropat ata duhet ta riblejnë përsëri.
Pra një vepër korruptive mund ta quajmë e drejtpërdrejtë, një konflikt interesi, një gjobë që i vendoset biznesit shqiptar në mënyrë të tillë për ta çuar drejtpërdrejt në xhepat e njerëzve, të cilët kanë lidhje jo vetëm me politikën, por dhe me institucionet shtetërore”, ka thënë Kryemadhi.