"Një vit pa ty, një pafundësi"- Mesazhi i ndjerë i deputetes socialiste për të vëllain që e humbi në aksident
Si sot një vit më parë, vëllai i deputetes socialiste Blerina Gjylameti, humbi jetën në një aksident tragjik në tunelin e Krrabës.
Makina me të cilën udhëtonte 37-vjeçari, Elton Macolli, i cili punonte si ushtarak në bazën ajrore të helikopterëve në Farkë, u përplas me një kamion dhe më pas shpërtheu në flakë.
Deputetja Gjylameti e ka përkujtuar me një mesazh të ndjerë këtë përvjetor të parë pa të dhe që me të drejtë i duket si pafundësi.
Dhimbja është aty, thjesht ndryshon formë, dhe lehtësimi vjen vetëm kur ajo udhëton në kujtime për të sjellë në memorie momentet e bukura të kaluara bashkë.
Gjylameti: Një vit pa ty, na duket pafundësi ! Thonë që mësohesh me mungesën, që dhimbja tjetërsohet, shndërrohet, por është kaq e vështirë. Kthehesh pas në kohë e udhëton në kujtesë për të gjetur momentet e bukura e të lumtura që të lehtësojnë dhimbjen, që të mbushin zbrasëtirën . Sjanë pak , kemi qënë gjithmonë krah njeri- tjetrit, ti me atë natyrën tënde të ndrojtur por me zemrën më të madhe që kam njohur ndonjëherë. I kudogjendur jo vetëm për mua e familjen, por edhe për miqtë e çdo kënd që kishte nevojë. Ashtu të kemi kujtuar këto ditë me miq të shumtë që na kanë ndenjur pranë e na kanë pasuruar pa fund me episode të shumta të tuat për të bërë të paharrruar në mendjet e zemrat tona!