Naftëtarët braktisen nga të zgjedhurit, grevistët: Nuk heqim dorë, do marrim dhe fëmijët

Naftëtarët e Ballshit që prej 23 ditësh janë në grevë urie e protestat për pagat dhe rinisjen e punës denoncojnë braktisjen nga kryebashkiaku dhe deputetët, që siç thonë, një pjese u kanë dhënë votën.Ata thonë se janë lënë të vetëm në atë që e cilësojnë luftën për dinjitet jo vetëm të naftëtarëve, por të gjithë qytetit që po vuan pasojat e krizës.

Prej gati një muaji  në protesta e grevë urie,  naftëtarët e Ballshit akuzojnë kryetarin e Bashkisë Mallakastër dhe deputetët që kanë zgjedhur me votë në parlament se i kanë braktisur në atë që ata e cilësojnë luftë për dinjitetin e shkelur.

"Asnjë nuk është i interesuar për ne. As prefektja, as kryetari i bashkisë dhe as deputeti i zonës."

Indiferenca e atyre, që një pjesë e naftëtarëve thonë se u kanë dhënë votën, i ka zgjënjyer.

"Që sot e tutje ta marrin seriozisht se ne nuk dalim nga greva."

"I kemi dhënë votën komplet si zonë."

Naftëtarët thonë se kryebashkiaku Qerim Ismailaj duhet të ishte në krah të tyre, pasi pasojat e mbylljes së uzinës së naftës po i vuan i gjithë qyteti.

"Pushteti vendor është i papërgjegjshëm për ne. Vetëm do taksat tona."

E marta shënoi ditën e 6 të ngujimit në grevë urie të grave punononjëse të rafinerisë së Ballshit.

Gjendja e tyre shëndetësore është rënduar, por ata thonë se nuk do të tërhiqen.

Madje përfshirja e fëmijëve në grevë, paralajmërohet si hap i radhës pasi me herët refuzuan ofertën e kryeministrit Rama për tu ulur në bisedime.

"Nëse nuk do të arrijmë dot ne, do të fusim fëmijët tanë këtu."

"Jemi të gjithë brenda ligjit, Kryeministri të zbatojë ligjin."

Punonjësit e uzinës së Ballshit protestojnë për rinisjen e punës dhe pagat e prapambetura, disa nga të cilat i kanë fituar me vendim gjykatë që sipas tyre nuk po zbatohet.

https://youtu.be/nMIQjYnolPM