Gratë naftëtare refuzojnë Ramën: Nuk ndërpresim grevën e urisë, na jep pagat një herë pastaj..
Gratë naftëtare refuzojnë ndërprerjen e grevës së urisë për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës. Ata thonë se janë gati të flasin por pasi në llogaritë e tyre të hidhen pagat e prapambetura.
Vetëm fjala e kryeministrit thonë se nuk mjafton. Nga ngujimi i nxjerr vetëm lëvrimi i parave.
“Lekët të na i hedhin në llogari e dalim nga greva. Nuk është një gënjeshtër, 2, është një vit kështu. Të vijë kryeministri të na shikojë gjendjen, të na japë një zgjidhje dhe pastaj shohim e bëjmë e ndërpresim ose jo. Nuk jemi dakord fare, nuk e ndërpresim grevën.
Të vijë dhe të ulet këmbëkryq të na shikojë si jemi dhe në ç’gjendje jemi. Këtu do qëndrojmë jemi shumë të vendosura. Janë bërë të pabesueshëm, ndryshe nuk ka zgjidhje tjetër”, tha njëra prej grave greviste.
Kreu i qeverisë sipas naftëtarëve e ka humbur besimin e tyre pasi premtime të ngjashme u ka dhënë edhe më herët, dhe sipas tyre nuk janë mbajtur.
“Nuk besojmë më tek kryeministri. Ka ardhur vetë këtu me Damian Gjiknurin e na premtoi se do merrnim lekët kokërr më kokërr”
Ndaj ata janë detyruar ti rikthehen grevës së kërkesës, për të drejtën e fituar me vendim gjykate.
Por teksa derën e dialogut e mbajnë të hapur, kushti është që negociatat të bëhen pranë Uzinës.
“Të gjitha grave deputete u lutemi kush vjen për politikë u kemi thënë ik. Të na kthejë rrogat dhe të nisim punë. Këtë kërkojmë“
E hëna ishte dita e 5 e grevës së urisë së grave që zëvendësuan burrat në ditën në 18 të ngujimit për pagat dhe rinisjen e punës në rafinerinë e naftës në Ballsh.
Përmes postimit në Twitter Rama i ftoi të ndërpresin grevën e urisë.
“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu!Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm”, ka shkruar Rama.
Lexo dhe:
Greva e naftëtarëve, Kryemadhi letër SPAK-ut: E patolerushme! Të hetohen dhe të verifikohen shkeljet