VIDEO/ Shtyn afatin për Milot-Fier, aktivistët tallen me vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shtyhu me 1 muaj afatin për dorëzimin e ofertave për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Fier.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me synim nxitjen e konkurrencës mbështetur në parimet e transparencës, duke vlerësuar situatën tepër të vështirë, të krijuar jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën nga virusi COVID-19, gjë e cila ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e subjekteve tregtare dhe më gjerë, si dhe nisur nga kërkesa e vazhdueshme e operatorëve të ndryshëm, drejtuar Autoritetit Kontraktor për vështirësitë e hasura në përgatitjen, si dhe dorëzimin e të gjithë dokumenteve të kërkuara vlerëson nevojën e shtyrjes së afatit të dorëzimit të ofertave të procedurës me objekt “dhënie me koncesion/PPP projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë-Kashar-Luzi i Vogël-Fier”, thuhej në njoftimin e ministrisë.
Sipas MIE-së, afati kohor për dorëzimin e ofertave do të jetë 28 tetor, ora 12:00.
Por kaq ka mjaftuar që një grup aktivistësh ta kthejnë vendimin e Ministrisë në një skeç humori, ku ironizohet vendimi në fjalë.
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:
29 mijë e 800 automjete në dite mendohet se do ta frekuentojnë këtë rrugë, ndërsa është paralajmëruar nga qeveria se do të jetë një aks i tarifuar, ku mesatarja e përshkimit të 115 kilometrave është 8.6 euro për një drejtim.
Deri në vitin 2040, për një total prej 121 milionë eurosh, qeveria ka marrë përsipër të garantojë në lidhje me trafikun e munguar ndërsa koncesioni zgjat 35 vite, ku duke filluar që me vitin e parë te operimit në 2024, koncesionari do të arketojë mbi 60 milionë euro.
I gjithë aksi Milot-Fier është parashikuar të jepet me kontratë partneriteti Publik Privat ndërsa do të ndahet në 6 segmente.
Ashtu sikurse është artikuluar shpesh ditët e fundit, një pjesë e këtij segmenti prej 115 kilometrash është e përfunduar dhe ai që do të ndërtohet tërësisht i ri do të jetë segmenti Thumanë-Luz i Vogël, prej 1.2 miliardë eurosh, një kosto e lartë për ekonominë shqiptare.
Trafiku nga i cili është parashikuar të vjelë të ardhura koncesionari është krahasuar me atë ekzistues, e nëse shifrat do të jenë të njëjta, për rreth 30 vite ai do të fitojë 4 miliardë euro, ndërkohë përdorimi i këtij aksi parashikohet të jetë i detyrueshëm pasi nuk ka rrugë alternative.