Diabetikët më të rrezikuar nga Covidi, mjekët: Kujdes me dietën, më shumë matje të glikemisë

Të sëmurët me diabet janë më të predispozuar për të shfaqur komplikacione nga Covid-19. Ndër diabetikët, simptoma më të rënda të virusit përjetojnë ata që kanë vlera të pakontrolluara të glikemisë.

"Nëse glikemia esëll është mbi 160 dhe pas ushqimit është mbi 250 është një diabet i dezekuilibruar. Ata persona që se kanë diabetin të kontrolluar kanë një rrezik më të madh për ecuri jo të mirë."

Mjeku endokrinolog, Florian Toti, thotë se rreziku shtohet me moshën por edhe sëmundjet e tjera shoqëruese.

"Sa më tepër sëmundje shoqëruese të kenë, sa më e rëndë të ketë qenë sëmundja që në fillimin e saj dhe sa më e madhe të jetë mosha, aq më i madh është rreziku."

Në kushtet e pandemisë, mjeku apelon më tepër kujdes.

Florian Toti drejton Shoqatën e Diabetit, e cila ofron shërbim falas për qindra pacientët, por nuk ka përfituar asnjë ndihmë e mbështetje nga qeveria.

Në Shqipëri janë mbi 75 mijë persona të prekur nga diabeti dhe çdo vit regjistrohen rreth 3 mijë raste të reja.