Specializantët në udhëkryq me sytë nga Gjermania paguajnë 62 milionë lekë për tu bërë mjek e s'marrin rrogë

Organizata "Guxo" ka kryer një monitorim për shpenzimet që kanë studentët e mjekësisë dhe specializantët.

Të ftuar në "Ditë e Re" Marash Logu dhe Alesia Mehmeti ngrenë shqetësimin e mospagimit të specializantëve.
Alesia është specializante në kardiologji.

"Jemi në kushtet e një skllavërimi dhe duhet të paguash për këtë skllavërim. Specializantët kanë një të ardhme të pasigurtë. Ndërkohë që nuk paguhen nga ministria për punën e bërë ata paguajnë tarifën e specializimit" thotë Alesia.

"Nga studimi që kemi bërë me studentet kemi kuptuar se kostoja për 6 vite studimi për të qenë mjek i përgjithshëm është 32 mln lekë të vjetra. Ndërsa kostoja për 5 vite specializim ishte 30 milionë. Pra në total bën 62 milionë lekë të vjetra. Në nivelin shqiptar të pagave që aktualisht është 600 mijë lekë një mjek pasi ka mbaruar pjesën e specializimit duhet 8 vite për të marrë mbrasht investimin" thotë Marash Logu.

 Nuk ka një vend europian, madje as Kosova që nuk paguan mjekun specializant. Nëse nuk ndodh atëherë largimi drejt Gjermanisë do të jetë i pashmangshëm.

Alesia Mehmeti: "Është një vend që ndrydh pasionin. Ka ekzistuar dhe vazhdon korrupsioni në mjekësi, Shkak dhe vështirësitë ekonomike, sociale. Minimumi që mund të bëjnë është të heqin pak ngarkesën që kanë specializantët që po përpiqen të krijojnë një familje në Shqipëri ose ndryshe largimi është i pashmangshëm."

Mbas 5 viteve specializim gjendem në një udhëkryq ku kam paguar për të bërë këtë specializim, nuk jam paguar për këto 5 vite dhe nuk kam ku të nis punë. Pra e ardhmja ime si kardiokirurge është Gjermania”

E ke menduar të largohesh nga Shqipëria?

Alesia Mehmeti: E kam menduar e mendoj gjatë gjithë kohës. Unë jam nga ato specializantë që jam e vendosur që të mbaroj specializimin në Shqipëri dhe të kem mundësitë e duhura ta kryej profesionin tim këtu, këtu por nëse kushtet e jetesës do të jenë të papërballueshme atëherë do më duhet të shikoj alterantivat e tjera. Unë dua të jap kontributin tim këtu por shpresoj të ma lejojnë sepse po bëhet shumë e vështirë.

Javën e ardhshme është kërkuar interpelancë me ministren e Shëndetësisë.