Grip apo Covid, si t`i dallojmë? Dedja: Simptomat janë të ngjashme, tamponi përcaktues

Katër persona kanë humbur jetën nga koronavirusi, ndërsa 171 kanë rezultuar me Covid në 24 orët e fundit.

Me afrimin e dimrit, situatës i shtohen dhe shqetësimet nga gripi sezonal.  

Temperaturë, kollë dhe lodhje, janë disa nga simptomat e përbashkëta.

Por si mund t`i dallojmë gripin e zakonshëm nga SARS-CoV-2?

"Vështirësia është aq e madhe sa nuk ka mjek dhe profesionist në botë që të thotë ky është klinikisht vetëm grip dhe kjo tjetra është vetëm Covid. Ngjajnë aq shumë me njëri-tjetrin sa nuk ka ku të shkojë. Për të gjitha rastet që kanë temperaturë, dhimbje koke, djersitje, kanë ulje të nuhatjes dhe shijes nga dita e parë deri në fund të javës, ta bëjnë tamponin."

Vaksina ndaj Covid nuk është ende gati, por ajo e gripit ka disa javë që gjendet në spitale.

Ndaj mjekja, Sabahet Dedja, apelon për kryerjen e saj në mënyrë që të mos ndeshim mbivendosje virusesh.

"Nuk është vaksinë që mbron nga Covidi, por duke u mbrojtur nga njëri virus i japim mundësi që këto dy viruse të mos bashkohen dhe të mbivendosen, sepse pastaj sëmundja shfaqet shumë më e rëndë."

Teksa shumë prej qytetarëve u janë drejtuar farmacive për të blerë vitamina për forcimin e sistemit imunitar, mjekja Dedja jep disa këshilla që mund të ndiqen në kushte shtëpie.

"Të gatuajnë shëndetshëm në shtëpi, çajin, supën, gjellën dhe ajrosja e shtëpisë për çdo një orë të paktën 5-8 minuta."

Përveç ushqyerjes së shëndetshme, nuk duhet haruar vendosja e maskës, kujdesi ndaj higjIenës personale dhe mbajtja e distancës fizike.