Interes për mamografinë, por frikë nga Covid

Ndonëse ka patur një rritje ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në tetorin rozë, gratë dhe vajzat janë disi të frikësuara për të realizuar mamografinë. Mjekët ndërkohë e shohin me pozitivitet faktin se ka patur një rritje të numrit të të interesuarave që paraqiten për kontrolle pa rekomandimin nga mjeku.

Shqipëria ka shënuar një rritje të ndërgjegjësimit gjatë së ashtuquajturit Tetori rozë, por paravarësisht rritjes së interesimit, gratë dhe vajzat po hezitojnë për shkak të pandemisë së Covid-19.

Statistikat në vendin tonë tregojnë se vetëm vitin e kaluar u evidentuan 700 raste me kancer gjiri, ndërsa në të gjithë Europën pati mbi 500 mijë të tilla.

Evidentimi në kohë i kancerit të gjirit rrit në mënyrë eksponenciale shanset për kurim, ndaj mjekët shprehen të kënaqur me faktin se gjithnjë e më shumë, gratë dhe vajzat po paraqiten për kontrolle edhe pa një rekomandim nga mjeku.

 Almir Skana, mjek imazherist, thotë se gjatë këtij viti, protokolli është përshtatur me kushtet e pandemisë, ndaj apelon për të mos patur frikë.  

"Gratë që janë ndërgjegjësuar për kontrollin e gjirit të vijnë pranë nesh".

Nga data 6 tetor deri më sot, në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve janë kryer rreth 50 mamografi, nga të cilat ka pasur edhe të moshave nën 40 vjeç.

"Në katër pacientë që vijnë, 3 janë pa rekomandim dhe 1 me remomandim. Ndërgjegjësimi i grave është rritur. Numri i ezaminimeve mamografike që është bërë sot ka qenë 9 pacientë."

Mamografia gjatë këtij muaji ofrohet falas dhe pa rekomandim mjeku, por për të shmangur radhët dhe grumbullimet stafi i mjekëve ka vendosur të bëjë një koordinim të orareve të vizitave.