PD: 2 milionë euro për inceneratorët, para në parajsa fiskale, asgjë për shqiptarët

Partia Demmokratike ka hedhur akuza ditën e sotme kundrejt qeverisë në lidhje me inceneratorët.

Përmes një daljeje nga selia blu, Dorian Teliti u shpreh se Rama gënjen se nuk ka para, sepse sipas tij, ai i ka për klientën e tij.

"Edi Rama thotë se ka burime të kufizuara financiare dhe refuzon të ndihmojë qytetarët apo biznesin për të kapërcyer krizën ekonomike, të rënduar akoma më shumë nga pandemia. Edi Rama gënjen! Edi Rama ka parà, por këto parà nuk i ka për njerëzit e zakonshëm. Taksat e rritura të shqiptarëve nuk i kthen sërish tek qytetarët, në mënyrë që bizneset të mos falimentojnë, apo që prindërit të mos u heqin fëmiëjve bukën e gojës për të blerë maska. Me taksat tuaja, të dashur qytetarë, paguan klientët e vet. Inceneratorët janë rasti më flagrant. Gjithçka për inceneratorët e korrupsionit.m, asgjë për qytetarët në nevojë. Këtë javë, qeveria e Edi Ramës i ka paguar inceneratorit të Fierit dhe atij të Tiranës 2 milionë euro. 2 milionë euro janë një thesar në këtë kohë të vështirë. Me kaq para mund të siguroheshin maska për të gjithë pensionistët,  mësuesit, të papunët apo ata që janë në kushtet e mbijetesës deri në fund të dimrit. Me 2 milionë euro, Edi Rama mund të kishte ndihmuar rreth 1 milionë shqiptarë."

Për Telitin Edi Rama ka zgjedhur 5 njerëz, që zhdukin taksat e qshiptarëve në parajsa fiskale dhe se për këto në 25 prill do të marrë faturën politike.

"Por mes qytetarëve dhe inceneratorëve, Edi Rama ka zgjedhur inceneratorët. Mes 1 milionë shqiptarëve në nevojë dhe në rrezik, Edi Rama ka zgjedhur 5 njerëz, që zhdukin taksat tona në parajsa fiskale. Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj duhet t’u thonë shqiptarëve kush fshihet pas kompanisë guackë të inceneratorit të Tiranës? Në xhepat e kujt kanë përfunduar 75 milionë euro 3 vitet e fundit? T’u japësh çdo javë inceneratorëve miliona euro dhe të mos ndihmosh mijëra e mijëra familje që mbahen me biznesin e vogël dhe që janë në prag falimentimi, kjo është kriminale. Më 25 Prill, Edi Rama do të marrë faturën politike për këtë braktisje të qëllimshme të qytetarëve, me qëllim transferimin e parave të tyre në kompani guackë në parajsa fiskale. Pas 25 Prillit, qeveria e re, e dalë nga vota e qytetarëve, do të bëjë çdo gjë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve keqbërës si Edi Rama!"