Rama për amnistinë fiskale: Drafti po konsultohet me ndërkombëtarët, gati shumë shpejt
Kryeministri, Edi Rama, ka paralajmëruar se qeveria nuk do të tërhiqet nga amnistia fiskale pavarësisht shtyrjes së miratimit të saj në Kuvend. Në përgjigje të pyetjeve të një emigranti të kthyer nga Italia në Shkodër, Rama tha se drafti po i nënshtrohet konsulencës me organizmat financiare ndërkombëtare dhe më pas do të miratohet pa humbur kohë.
Qeveria do ta paraqesë amnistinë fiskale për miratim në parlament pas ndërhyrjeve të nevojshme në draft, bazuar në vërejtjet e institucioneve financiare ndrkombëtare.
Në përgjigje të pyetjeve të një emigranti të kthyer nga Italia në Shkodër, Rama tha se drafti po i nënshtrohet konsulencës së nevojshme.
"Përshëndetje Arben dhe unë të uroj çdo të mirë. Faleminderit për mesazhin dhe fjalët e mira. Sa i përket amnistisë fiskale jemi në proces, po punojmë ngushtësisht me ekspertizë ndërkombëtare, me institucione financiare ndërkombëtare, sepse jam i bindur se njerëz si ti që kanë kursime në emigracion, për më tepër atyre që kthehen në Shqipëri por dhe ata që nuk kthehen por duan të formalizojnë të ardhurat, e tyre, duhet t’u japim mundësinë e amnistisë fiskale."
Drafti i qeverisë që shkaktoi debate dhe reagime të forta nga opozita, u tërhoq pas mendimit kritik që dhanë Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe institucione të tjera me ekspertizë financiare, ndërkohë që Kryeministri premtoi se ligji në fjalë do të bëhet realitet pa humbur shumë kohë.
"Durim se punët e mira duan kohën, mundin dhe durimin e domosdoshëm. Ki besim se më shpejt se vonë edhe këtë instrument do ta kesh në dispozicion t'i dhe gjithë shqiptarët e mirë me punën shkojnë përpara."
Në komunikimin e tij virtual me qytetarët, Rama u ktheu përgjigje edhe pyetjeve që kanë të bëjnë me problematikat me administratën shetërore dhe specializimet në mjekësi.